Beta

Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus

Str. Aleea Avrig 10
Gjejë në hartë
  • 0

    Ngjarje
  • 5

    Shkrime
  • 0

    Degë

Përshkrimi

Më 12 prill 2006 u formua në Bukuresht dhe u jetësua si institucion kulturor-artistik, me personalitet juridik, me ekzistencë kohore të pakufizuar Shoqëria Kulturore Shqiptare „Haemus”. Joqeveritare, pa karakter politik dhe jofitimprurëse, Shoqëria Kulturore Shqiptare „Haemus” funksionon në përputhje me nenet e Statutit të vet dhe të Ligjit Nr.21/1924,

Synimi kryesor i Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus” është promovimi i kulturave dhe qytetërimeve rumun e shqiptar, në të gjitha trajtat e shprehjes së tyre, përmirësimi i marrëdhënieve ndërkulturore dhe integrimi në cirkuitet evropian e botëror.

Duke mbajtur parasysh tolerancën tradicionale shqiptare dhe sidomos kontekstin integrues evropian që po përjetojnë kombet shqiptar e rumun, Statuti i Shoqërisë jo vetëm u krijon mundësi të gjera përfaqësimi shqiptarëve të kudondodhur, por edhe synon të afrojë sa më shumë miq e dashamirës të Shqipërisë, studiues të shqipes, të kulturës dhe të historisë shqiptare, që ndodhen në Rumani dhe në vende të tjera. Në të njëjtën kohë, Statuti i Shoqërisë mundëson njohjen më të plotë e më të saktë të kulturës rumune në hapësirat shqipfolëse dhe në ato evropiane e më gjerë.

Programi i Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus” përfshin hapa konkrete për ri-integrimin e kulturave shqiptare e rumune në cirkuitet evropiane e botërore; njohjen reale të jetës, mendësisë, veçantive etnike dhe kulturore të pakicave dhe grupeve etnike që jetojnë në Rumani, çka lehtëson mirëkuptimin dhe mënjanon shkallë-shkallë tensionet ekzistuese, ose ato që mund të shfaqen në varësi nga gjendja e shoqërisë bashkëkohore; shkëmbimin e informacionit kulturor dhe të qytetërimit mbi dhe ndërmjet pakicave dhe grupeve etnike të hapësirës ballkanike dhe eurojuglindore; grumbullimin e të dhënave të panjohura më parë, që lidhen me besimet fetare, me historinë dhe qytetërimin ballkanik e të Evropës Juglindore, si dhe themelimin, - në përputhje me një traditë të hershme paqtuese shqiptare, - të një Qëndre Evropiane të Drejtimit Kulturor dhe të Parandalimit të Konflikteve me karakter etnik, fetar, kulturor etj.

Shoqëria Kulturore Shqiptare „Haemus” ofron shërbime përkthimi në gjuhët shqip, rumanisht, turqisht e italisht dhe organizon kurse intensive për mësimin dhe përkryerjen e gjuhëve shqip e rumanisht, apo edhe për gjuhë të tjera nga vendet rajonit. Kurset e gjuhës përmbajnë edhe njohuri thelbësore rreth historisë, kulturës dhe qytetërimit ballkanik e evropian.

Përveç shqiptarëve të mirëfilltë apo me prejardhje shqiptare, Statuti i Shoqërisë u jep mundësinë të bëhen antarë të saj edhe personave të tjerë, në radhë të parë shtetasve rumunë që e pranojnë Statutin e saj dhe mbështesin realizimin e pikësynimeve të Shoqërisë.

Antarë nderi të Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus” janë tashmë dhe do të bëhen në vijim personalitetet e kulturës e të shkencës nga vende të ndryshme, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike, të cilët japin ndihmesë në lartësimin e prestigjit të kulturës juglindore dhe të Shoqërisë.

Synimeve të Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus” u shërbejnë edhe veprimtaritë e Revistës Haemus dhe të Shtëpisë Botuese Librarium Haemus.

President i Përhershëm i A. C. A. ”HÆMUS”
është Akad. Kopi Kycyku